VIDEO/ Në “Teatrin e ëndrrave“ festojnë “djajtë“, Ronaldo përmbys Atalantën në një ndeshje plot emocione

LIVE, Manchester United-Atalanta 3-2 Rashford 53′, Maguire 75′, Ronaldo 81’/ Pasalic 15′, Demiral  28′

Manchester United-Atalanta rezultoi një përballje plot emocione dhe e denjë për Champions League. Në “Teatrin e ëndrrave” festa i takon vetëm “djajve të kuq”, të cilët kanë përmbysur italianët me shifrat 3-2. Bergamaskët e kanë nisur mjaft mirë sfidën, teksa kalojnë në avantazh që në minutën e 15 me anë të Pasaliç. Pjesa e parë ka folur e gjitha për Atalantën, që në minutën e 28 dyfishon rezultatin dhe fut në ankth tifozët e United.

Por fraksioni i dytë i lojës shfaqi një tjetër fytyrë. Bruno Fernandes jep një pasim perfekt në minutën e 53, atëherë kur Rashford ngushton diferencat. Në minutën e 75, mbrojtja e zikaltërve “harron“ në zonë Harry Maguire-n, i cili nuk fal dhe barazon gjithçka.

Për të siguruar tre pikët mendon Cristiano Ronaldo. Ylli portugez fluturon mbi mbrojtjen bergamaske në minutën e 81 dhe përmbys kështu rezultatin duke çuar peshë gjithë “Old Trafford”-in. Me këtë fitore United shkon në kuotën e 6 pikëve dhe merr kreun e grupit, i ndjekur nga Atalanta e Villareal me nga 4 pikë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/