VIDEO / Asist, gol e karton i kuq. Muriqi bën gjithçka në fitoren e Fenerbahçes

Vedat Muriqi ka qenë protagonisti kryesor i fitores 2-0 të Fenerbahçes në fushën e Gaziantep, duke ndihmuat këtë të fundit të ngjitej në vendin e tretë të renditjes së kampionatit turk. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës bëri praktikisht gjithçka në këtë sfidë, pasi dha asist, shënoi gol e në fund e mbylli ndeshjen para kohe më një karton të kuq.

Në minutën e 51-të ishte një harkim perfekt i Muriqit nga e djathta ai që gjeti Krusë në zonë për golin e avantazhit të Fenerbahçes. Sulmuesi më pas tentoi disa herë vetë të gjente rrjetën dhe ia arriti qëllimit në minutën e 93-të të sfidës, duke çuar shifrat në 2-0.

Por sfida nuk mbaroi me duartrokitje për lojtarin pasi pak çaste me vonë, ai largoi topin pas një faulli e gjyqtari nuk e fali, duke i treguar kartonin e dytë të verdhë kur shënohej minuta e 94-t, për ta përjashtuar me të kuq sulmuesin. Kësisoj, ai do të mungojë në ndeshjen e rëndësishme të javës së ardhshme ndaj Bashakshehir, skuadrës që qëndron në vendin e dytë në renditjen e kampionatit turk. /vipsport.al/