Vata nuk sheh limite për të birin: Nuk do çuditesha nëse bëhet më i fortë se Ronaldo (Foto)

Interesimi i madh i mediave belge për të njohur më shumë Rudi Vatën, ka përfshirë edhe djalin e tij dhe eksperiencën e parë si futbollist që ai po kalon në akademinë e Sëlltikut. Roko Vata është regjistruar në klubin ku babai i tij u bë një emër i njohur në futbollin botëror dhe deri tani rezultatet kanë qenë mjaft të mira.

Vetë ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare tregon se të birit nuk i ka vendosur asnjëherë limite pasi beson se tashmë çdokush mund të arrijë gjithçka nëse di të shfrytëzojë potencialin që ka. “Unë i them gjithmonë që nëse ai bëhet më i fortë se Ronaldo, unë nuk do të çuditesha, pasi ai është pjesë e një brezi ku çdo ëndërr është e lejueshme. Ndryshe nga unë që u rrita nën diktaturë”, shpjegoi Vata.

Me detyrën e re në Belgjikë, atij do t’i duhet të shkëputet pak nga familja, por ish-futbollisti tregon se i ka shpjeguar të birit edhe këtë pjesë të jetës. “I shpjegova që nuk ka më nevojë për mua fizikisht çdo ditë, pasi ai që ka me vete forcën e punës, mund të arrijë çdo gjë”, ishin fjalët me të cilat ai ka motivuar djalin e tij për të synuar majat edhe pse me të atin që e ndiqte nga larg. /vipsport.al/