Uroi Pavarësinë me foton e Enver Hoxhës, deputeti i PS “nuk bën mbrapa”: S’jam nip i tij, ama nuk harrohet historia! Ka udhëhequr luftën

Deputeti socialist Bujar Çela thotë se ish-diktatori Enver Hoxha ka kontributet e tij në luftën për çlirimin e atdheut dhe figura e tij nuk mund të bëhet nul. I pyetur një ditë më pas për reagimet që shkaktoi urimi i Pavarësisë me foton e Hoxhës, deputeti i PS tha se historia e kombit nuk harrohet.

“Në atë Komision ka njerëz që janë nipër të Isa Toskës. Unë nuk jam nip i Enver Hoxhës, por jam si të gjithë shqiptarët dhe nuk mund ta harroj historinë nga e cila kemi ardhur ne si komb”, u shpreh paraditen e sotme Bujar Çela, kur u pyet për foton në grupin e Komisionit të Sigurisë.

Deputeti i PS tha se Enver Hoxha ka udhëhequr luftën për çlirimin e atdheut dhe vendi nuk ka nxjerr udhëheqës tjetër.

“Unë i përkas atyre që e njohin dhe mendoj që figura e Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka dhe ai kontributet e tij në luftë përderisa ne nuk kemi nxjerr ndonjë udhëheqës tjetër që e ka udhëhequr këtë luftë. Po të jetë se ka ndonjë udhëheqës që pretendon që gjyshi a stërgjyshi i tij e ka udhëhequr këtë luftë, të shprehet. Historianët janë aty, letrat janë aty.

Shumë herë kemi bërë padrejtësisht armiq, kriminela dhe pastaj kemi refelektuar. Këto fakte janë nga më të ndryshmet. Që nga Balli Kombëtar, Legaliteti, të cilët ishin armiq pastaj u rreshtuan te kampi fitues mbi nazifashizmin”, shtoi ai.