Talentin brazilian e mbysin lotët në prezantim, Reiner: Falë familjes mbërrita te Real Madridi

Pas Viniciusit, një tjetër fenomen i ri i futbollit brazilian zbarkon te Real Madridi. Bëhet fjalë për Reiner, që nuk ka mundur dot t’i mbajë lotët në prezantimin e tij zyrtar përkrah presidentit Florentino Perez.

18-vjeçari Reiner është ngashëryer disa herë teksa fliste për sakrificat e familjes së tij për ta ndihmuar që ai të mbërrinte një ditë këtu. Qau kur klubi shfaqi video të momenteve të tij më të mira me ekipet e moshave të Brazilit dhe Flamengos.

“Falë familjes sime jam këtu”, tha ai duke fshirë lotët. “Ka qenë e vështirë të lija gjithçka pas krahëve që i vogël vetëm për të luajtur”. Një sakrificë e justifikuar. Real Madridi ka paguar 30 milionë euro dhe Reiner ka nënshkruar deri në vitin 2026. Për momentin ai do të luajë tek ekipi B. “Jam gati të bëj çfarëdo lloj gjëje që klubi do të më kërkojë. Do të jap gjithnjë maksimumin”, përfundoi Reiner.