Profesori që e “rriti” tregon gjithë hapat e Rashicës, nga fëmijëria në futbollin elitar

Milot Rashica është aktualisht lojtari më i mirë i kombëtares së Kosovës. Ylli i Verder Bremen pritet të kalojë në gjirin e një klubi të madh merkaton e ardhshme, ku për të interesohen Lajpcigu dhe Liverpuli. Kjo kohë karantine na ka bërë, që përveç të tashmes e të ardhmes, të kthehemi te e shkuara.

Kështu ka bërë gazeta “Olle”, që ka vendosur të intervistojë trajnerin, që e ka stërvitur Rashicën që fëmijë e deri në hapat e parë si profesionist. Mehmet Kurda tregon fazat që Rashica ka kaluar, derisa arriti të kombëtaren e parë të Shqipërisë, që në fakt nuk arriti ta bëjë të tijin Rashicën, për shkak të vendimit për të mos e marrë në Europian.

NJOHJA- Milotin për herë të parë e kam parë duke luajtur në një turne, të cilin e kishte organizuar KF Flamurtari i Prishtinës. Në atë turne ishim pjesëmarrës edhe ne si KF Kurda dhe aty e kam parë talentin e tij, ku në atë turne për grupmoshën U10 Rashica është zgjedhur lojtari më i mirë sepse bënte diferencën gjatë ndeshjeve të zhvilluara.

STËRVITJA ME KURDËN- Pas një periudhe trajnerët e Milotit, Isa Sadriu dhe Besnik Kollari, të cilët e udhëhiqnin bashkë shkollën private të futbollit në Vushtrri më ftuan të zhvilloj një ndeshje tjetër miqësore ndaj tyre dhe pas një kohe ajo shkollë u mbyll dhe me preferencën e trajnerëve të lartë-cekur Miloti erdhi në shkollën tonë dhe në atë kohë, përveç fushës së vogël njëkohësisht shfrytëzonim edhe fushën e madhe të stadiumit “Ekrem Grajqevci” në Fushë Kosovë.

TALENTI I RASHICËS– Pasi ai filloi stërvitjet te ne, unë bisedova me prindin e tij, ku morën vendim që të regjistrohet në LRFP. Që nga ajo kohë e kam aktivizuar me grupmoshën U13 edhe pse ishte vetëm 11-vjeçar. Me kalimin e kohës duke punuar e vërenim ngritjen e tij, ku nëpër ndeshje të ndryshme bënte diferencën dhe dita ditës ishim dëshmitar se bëhet fjalë për një futbollistët të jashtëzakonshëm.

VUSHTRIA- Ishte janar, periudhë dimërore kur në një ditë më kontaktoi babai i tij dhe më pyeti nëse jam dakord që gjatë kësaj kohe Miloti të stërvitet me seniorët e klubit të Vushtrrisë, të cilët në atë periudhë kishin ushtrime më shpesh dhe në fushë të madhe.

Unë isha dakord që të zhvillohej pak më shumë edhe në aspektin fizik, duke ushtruar me senior dhe me kalimin e kohës duke e parë kapacitetin e Milotit se për çfarë futbollisti bëhet fjalë ata vendosen ta ndalin aty dhe të gjithë e dimë se pas kësaj filloi aktivizimi i tij në ndeshje edhe pse ishte vetëm 16 vjeç e gjysmë.

SHQIPËRIA- Sa ishte 15 vjeç, në atë kohë FSHF kishte filluar të organizonte kampe për grumbullim të talenteve dhe një person me emrin Jetmir Salihu, i cili ishte nga Gjilani ishte i autorizuar nga FSHF për këtë grumbullim në Kosovë më kontaktoi për këtë tubim në stadiumin e KEK-ut dhe pasi që FFK nuk ishte anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s vendosa t’i dërgoi dy futbollistët, Milot Rashica e Albert Stublla.

Përzgjedhës ishte trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiç dhe pasi pa talentin e tyre i ftoi të shkonin menjëherë në Tiranë, ku për një kohë të shkurtër janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë. Më pas u pa ecuria e tij, ku arriti deri në Kombëtaren A të tyre dhe siç e dimë të gjithë pas disa mosmarrëveshjeve me trajnerin italian De Biasi, Miloti u largua dhe erdhi të luajë te Kosova, gjest të cilin e çmoj shumë. /vipsport.al/