Një tropojan i del në mbrojtje Ermal Mamaqit për filmin ‘I love Tropoja’: Ti i ngrite vlerat tona, me to krenohet Shqipëria e i njeh gjithë bota

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Erzen Breçani përshëndet dhe i del në krah Ermal Mamaqit për filmin e tij më të fundit “I love Tropoja”. Si i vetmi tropojan që deri tani i ka dalë në mbrojtje Ermalit, Erzen Breçani shkruan se filmi nuk i uli vlerat e tyre, po i ka ngritur më shumë.

“Këto vlera tona ti nuk i humbe, i ngrite! Sot jam në Tropojë gjithë ditën dhe takova shumë patriotë e dashamirë. Më pyetën si shikues të filmit, normal u thashë çfarë pashë me syrin tim dhe se si i lidha ngjarjet që zhvillohen. Filmi është komik por u thashë nëse e shoh filmin siç e shikoja filmin e Herkulit kur isha fëmijë, pa sensin, pa shakanë, pa çfarë don autori/skenaristi të tregojë ose ta shikoja filmin si njeri pa kryer shkollën e mesme e të lartë, ne pak fjalë si i pashkolluar, nuk do e kuptojë”, shkruan ndër të tjera Breçani.

Shkrimi i plotë i Erzen Breçanit:

”Përshëndetje vëlla!

Mos u mërzit nga çfarë shkruhet në rrjete sociale, e rëndësishme është se ti ke bërë gjënë e madhe dhe të duhur. Në këtë periudhë që po kalon vendi, duhet që njerëzit të qeshin, jo vetëm të mendojnë halle-halle e halle, të kujtojnë fëmijët e ndarë e të larguar nga vendi i tyre, nga familjarët që i rritën, i edukuan e nuk i kanë pranë.

Ti bëre një film dhe me vërtetë që të uroj për çfarë na dhuroj, na bën që për dy orë të harrojmë problemet e mëdha që kemi; na bën që të qeshim e t’i kujtojmë me të qeshura çfarë koha na bëri të ecim me të. Mos të qëndrojmë pas por si tropojanë, që janë të parët kudo dhe për çdo gjë, që askush më fort se tropojanët-me kulturë, traditë, trimëri, vullnet dhe sakrificë e kosto, e sollën demokracinë tek të gjithë shqiptarët, me shkrimet, me dijet, me rebelimet dhe trimërinë e tyre. Me bijtë e tropojës krenohet Shqipëria dhe i njeh bota.

Këto vlera tona ti nuk i humbe, i ngrite! Sot jam në Tropojë gjithë ditën dhe takova shumë patriotë e dashamirë. Më pyetën si shikues të filmit, normal u thashë çfarë pashë me syrin tim dhe se si i lidha ngjarjet që zhvillohen. Filmi është komik por u thashë nëse e shoh filmin siç e shikoja filmin e Herkulit kur isha fëmijë, pa sensin, pa shakanë, pa çfarë don autori/skenaristi të tregojë ose ta shikoja filmin si njeri pa kryer shkollën e mesme e të lartë, ne pak fjalë si i pashkolluar, nuk do e kuptojë.

Dikush shprehet pa e parë filmin ose sipas opinionit të dikujt tjetër që ndoshta do të prishë imazhin e mirë që kemi dhe ta tjetërsoj. Unë u zgjata pak me ty kaq vonë, por e di si më thonin: në fund më thanë thuaj Ermalit je djalë i mirë! Mirëardhsh në Tropojën tonë!”, shkruan Breçani.