Frederik Veseli la Empolin për Lë Mansin, francezët prezantojnë shqiptarin “kampion bote”!

Frederik Veseli i ka dhënë fund aventurës së tij në Itali me skuadrën e Empolit, ku gjatë katër sezoneve me fanelën e kësaj skuadre, ka milituar mes Serisë A dhe asaj B, duke fituar njëherë dhe titullin kampion në kategorinë kadete.

Së fundmi, Veseli është transferuar në ligën e dytë franceze te skuadra e Lë Mansit, me këtë të fundit që kërkon të mbijetojë në këtë kategori, pasi aktualisht renditet në vendin e 17-të.

Lë Mansi e ka prezantuar shqiptarin me shumë pompozitet. Veseli, që me fanelën kuqezi ka luajtur në 26 takime, është shpallur kampion bote me 17-vjeçarët e Zvicrës, fakt ky që nuk është lënë pas dore në njoftimin e ekipit të qytetit me të njëjtin emër.