Bazeli u beson shqiptarëve, një adoleshent firmos kontratën e parë si profesionist

Klubi i Bazelit vazhdon t’u besojë futbollistëve shqiptarë dhe siguron që në të ardhmen do të ketë përsëri të tillë që do të veshin fanellën e tij në kampionatin zviceran. Ai ka bërë të ditur sot se ka lidhur me kontratë profesioniste një tjetër të ri të talentuar shqiptar, Orges Bunjakun, i cili ka spikatur që në moshë të re në radhët e akademisë.

Bunjaku 18-vjeçar ka firmosur sot marrëveshjen e parë si profesionist, duke nënshkruar me Bazelin deri në verën e vitit 2022. Për djaloshin është një mundësi e mirë që të tregojë vlerat e tij në radhët e këtij klubi ku të gjithë janë të bindur se do të shpërthejë në nivelet më të larta, duke parë se ai është bërë pjesë edhe e përfaqësueseve të moshave të Zvicrës ku luan si mesfushor ofensiv. Me U19 të Zvicrës ai ka treguar së fundmi të gjithë talentin e tij duke shënuar 3 gola në 4 ndeshje zyrtare, ndërsa me U17 kishte shënuar një gol në 6 takime.

“Dua të vazhdoj të zhvillohem këtu në vitet e ardhshme dhe të shpërblej besimin e klubit me paraqitje të mirë në fushë”, tha Bunjaku i cili i është bashkuar Bazelit në vitin 2015 nga akademia e Rapersvil.

Aktualisht, në skuadrën e parë të Bazelit aktivizohen Xhaka dhe Zhegrova, por për këtë të dytin përflitet për një transferim të mundshëm drejt një kampionati më të fortë pasi nuk i mungojnë ofertat. /vipsport.al/