15 vjeçarja prej 5 ditësh e zhdukur, nëna: U nis për në shkollë, tani e ka telefonin të fikur

Gentijana M. nga Prizreni, është 15 vjeçarja e cila rezulton e zhdukur nga dita e premte, sipas familjarëve të saj. Që nga data 22 janar familja nuk ka informacion për vendodhjen e saj, ndërsa rastin e kanë raportuar edhe në polici.

Nëna e Gentijanës, Mirdita, është shprehur se vajza është bërë gati për shkollë si çdo ditë, por atë ditë nuk është kthyer në shtëpi. Sipas saj mësuesit i kanë thënë se kohët e fundit 15-vjeçarja ka munguar edhe në shkollë.

“Prej të premtës nuk e kam çikën në shtëpi, u nis me shku në shkollë në orën 07:00 të mëngjesit, por nga ajo ditë nuk e kam më çikën. Pa kurfarë lajmërimi, është bë gati më shku në shkollë…Kurgjë nuk na ka lajmëru, s’e kemi pa që është bë gati hiç. E kam pa që i ka bë gati librat në mbrëmje, përveç atë ditë që s’e kam pa se gjithmonë e shihja kur shkojke në shkollë…

Kemi folë edhe me mësimdhënësit e shkollës, ata kanë thënë se kohën e fundit s’ka ardhë hiç në shkollë, disa ditë s’ka ardhë hiç në shkollë”, tha nëna e vajzës së zhdukur për Gazetën Express.

Më tej, nëna e Gentijanës ka shtuar se vajza ka pasur telefon por tashmë atë e ka të fikur.

“Ka pas telefon, po çika e ka mbyll telefonin. E kemi lajmëru edhe në polici, por kurfarë lajmi nuk kemi. Ne nuk e dimë ku është çika…Ne prej të premtës kemi prit, po mbrëmë e kemi hap në Facebook rastin e saj”, përfundoi ajo.